Zhvillim

Ekspertë të energjisë nga Zvicra për vizitë në Deçan dhe Junik

Në Junik dhe Deçan nga ekspertë zviceranë prezantohet projekti zviceran për efiçiencë të energjisë

Në kuadër të një projekti zhvillimor për ruajtjen e mjedisit në bashkëpunim me albinfo.ch, katër ekspertë urbanistikë zviceranë kanë planifikuar një udhëtim nga 3 deri 6 shtator, në Junik dhe Deçan të Kosovës. 
 
Ekipi zviceran përbëhet nga arkitektët Guillaume Morsier dhe  Valentin Kunik, drejtues të byrosë së arkitekturës „Kunik de Morsier Architecte“ dhe ekspertë në ndërtimin e energjisë dhe të mjedisit, njëherësh autorë të një studimi krahasues mes ndërtesave në Zvicër dhe Kosovë në fushën e banimit, një profesor i Universitetit të Friburgut, Thierry Ursenbacher, si dhe studenti Nolan Stauffer, i cili po magjistron në fushën e energjisë (Master of Sicence HES-SO in Engineering) në këtë universitet.

Qëllimi i këtij udhëtimi është zhvillimi i një projekti, i cili do të favorizonte izolimin termik të ndërtesave (shtëpia apo ndërtesa publike) në renovim apo në ndërtim.

Ky grup ekspertësh gjatë kësaj vizite do të takojë zyrtarë vendës të ndryshëm, të cilët mund të jenë të gatshëm apo të interesuar për të rinovuar, ndërtuar shtëpi ose ndërtesa publike me qëllim që të zvogëlojnë shpenzimet për energji (si p.sh. për ngrohje), duke përmirësuar komoditetin si dhe për të inkurajuar projekte ekologjike në Kosovë.

Gjatë takimit në Komunën e Deçanit dhe të Junikut mysafirët nga Zvicra të enjten dhe të premten do bisedojnë me autoritetet komunale, po edhe të tjerët që kanë qasje politike dhe shoqërore në vend, si dhe aktorë potencialë, të cilët mund të jenë të interesuar nga ky projekt.

Gjithashtu në këto takime do të jenë të pranishëm profesionistë kosovarë që kanë njohuri mbi kornizën ligjore për projekte të tilla. Ekspertët zviceranë do t’ iu prezantojnë projektin e tyre, i cili do të mund të bëhet subjekt i një studimi që do të mundësonte bashkëpunimin me vendësit në favor të ndërtimeve/renovimeve të objekteve të ndryshme.

Ky projekt synon të mbledhë dhe të punësojë arkitektë, ndërtues, kontraktorë të ndërtimit, përgjegjës të shoqatave apo bankave të mikrokredive, banorët e Deçani, etj.

Me ç’rast arkitektët do t’iu prezantojnë konceptin e tyre, i cili është shumë ekonomik si dhe mjetet e analizës, objektivat e synuara, përfitimet ekonomike të projektit, si dhe realizimin e tij shumë të thjeshtë e të volitshëm.

Ky takim me zyrtarët e Komunës së Deçanit është një hap që do të mundësonte zhvillimin dhe bashkëpunimin në mes të sipërmarrësve të Zvicrës me ata të Kosovës, në mes të institucioneve të Zvicrës dhe institucioneve komunale të Deçanit, në mënyrë që të rritet cilësia e mjedisit dhe e zhvillimit ekonomik.